Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI)
Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI) është një institucion publik, me statusin e personit juridik nën varësinë e Këshillit të Ministrave. AKTI është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka nisur punën në Mars 2010.
Krijimi i AKTI synon ndërtimin e një sistemi modern të shkencës, fuqizimin e kërkimit shkencor dhe teknologjik, si dhe integrimin e tyre në sistemin e arsimit të lartë.
AKTI lehtëson shkëmbimin e njohurive, veprimtarisë së përbashkët dhe partneritetit brenda dhe jashtë vendit, me qëllim forcimin e kërkimit në vend dhe rajon.
Vizioni i themelimit të AKTI është krijimi i një strukture koordinuese dhe udhëzuese që bashkëpunon me institucionet në fushën e shkencës dhe teknologjisë duke shërbyer zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, realizohet në përputhje me përparësitë kombëtare, zhvillimin e politikave shkencore dhe teknologjike dhe menaxhimin e Kërkimit dhe Zhvillimit të institucioneve të linjës.
Misioni
Misioni i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit është të vlerësojë, financojë, monitorojë dhe administrojë programet dhe projektet në fushën e shkencës, teknologjisë dhe Inovacionit në Shqipëri. Agjencia ka si qëllim financimin e projekteve në fushën e Biznesit të Vogël dhe te Mesëm si dhe transferimin, modernizimin dhe rinovimin e teknologjive të tyre.
Vizioni
Vizioni i AKTI-t është të zhvillojë shkencën dhe teknologjinë në përputhje me prioritet kombëtare, duke bashkëpunuar me të gjithë institucionet dhe sektorët e linjës. AKTI kontribuon në krijimin e infrastrukturës dhe instrumenteve të përshtatshme që zbatojnë politikat e kërkimit dhe zhvillimit në Shqipëri, duke promovuar aktivitete dhe sipërmarrje që zhvillojnë shkencën, teknologjinë dhe inovacionin dhe duke luajtur një rol lider në krijimin e kulturës së kërkimit shkencor.
Detyrat Kryesore
AKTI ka mision mbështetjen, monitorimin dhe vlerësimin e programeve dhe të projekteve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit (SHTI), në shkallë vendi. Gjatë realizimit të misionit të tij, AKTI realizon detyrat e mëposhtme:
- Bashkëpunon me ministritë dhe institucionet e tjera për zbatimin e strategjisë së SHTI-së dhe promovon kërkimin në këtë fushë.
- Realizon financimin e programeve dhe të projekteve të SHTI-së, në përputhje me përparësitë e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave dhe me vlerësimin e bërë nga komisionet përkatëse;
- Zhvillon procedurat e aplikimit, të vlerësimit fillestar, monitorimit dhe vlerësimit përfundimtar të programeve dhe projekteve të SHTI-së;
- Monitoron dhe vlerëson veprimtaritë e SHTI-së, në shkallë vendi;
- Krijon dhe pasuron, në mënyrë të vazhdueshme, bazën e të dhënave, të analizës dhe dokumentacionit të sistemit të SHTI-së;
- Ofron asistencë teknike për të gjitha institucionet në fushën e investimeve në SHTI;
- Promovon ngritjen e strukturave të SHTI-së në të gjitha nivelet;
- Promovon bashkëpunimin me sektorin privat në fushën e SHTI-së;
- Promovon, ofron ekspertizë, bashkërendon dhe monitoron bashkëpunimin dy dhe shumëplanësh me BE-në, vendet e veçanta dhe organizatat e huaja, në fushën e SHTI-së;
- Zbaton politikat e qeverisë për mbështetjen me përparësi të shkencëtarëve më të kualifikuar, të grupeve kërkimore dhe qendrave të ekselencës, në SHTI;
- Zbaton politikat e qeverisë për nxitjen e pjesëmarrjes së studentëve dhe të shkencëtarëve të rinj në veprimtarinë e SHTI-së;
- Zbaton politikat nxitëse të qeverisë për kthimin e trurit dhe rritjen e angazhimit të diasporës intelektuale shqiptare në zhvillimin e arsimit, të shkencës, administratës publike dhe sektorit privat në vendin tonë;
- Ofron mbështetje teknike për institucionet ekzekutive, legjislative dhe institucionet e tjera, për përmirësimin e plotësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe nënligjor, në fushën e SHTI-së.

Blog
Kontakte
Site Map
English