Universiteti "Aleksandër Xhuvani" Elbasan

Universiteti i Elbasanit "Aleksandër Xhuvani" është vazhdim i Institutit të Lartë Pedagogjik "Aleksandër Xhuvani", themeluar në 1971. Në fillimet e tij Instituti i Lartë Pedagogjik përbëhej nga këto degë :

  • Dega e mësuesisë për gjuhën e letërsinë shqipe, për matematikë e fizikë, histori e gjeografi, biologji e kimi;
  • Dega e inxhinierisë së ndërtimit e mekanike (degë që vareshin nga Universiteti i Tiranës);
  • Dega e ekonomikut (pjesë e Universitetit të Tiranës).

Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 44, më 12 Nëntor, 1991, Institutit të Lartë Pedagogjik iu dha Statusi i Universitetit. Në Universitetin e Elbasanit shkollohen qindra mësues nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Ai luan një rol të rëndësishëm edhe në kualifikimin e mësuesve. Shërben gjithashtu edhe si qendër kërkimore për studentët dhe pedagogët e Universitetit.

Më 1991 kur Instituti i Lartë mori statusin e lartë të Universitetit, ai përbëhej nga tre Fakultete të ndarë në pesë degë :
  • Fakulteti i Shkencave të Natyrës me këto degë :
    1. Matematikë-Fizikë
      Biologji-Kimi
  • Fakulteti i Historisë e Filologjisë me këto degë :
    1. Gjuha dhe Letërsia Shqipe
      Histori - Gjeografi
  • Fakulteti i Mësuesisë për Ciklin e Ulët me këtë degë:
    1. Dega për përgatitjen e mësuesve për shkollat fillore.

Në vitin 1992 u hap dega e gjuhës dhe kulturës gjermane. Në vitin 1994 u hap dega e gjuhës dhe kulturës angleze. Në vitin 1995 u hapën degët e jurisprudencës, ekonomikut dhe mësuesve për kopshtet. Në shtator të vitit 1998 filloi dega e frengjishtes.

Sot, Universiteti i Elbasanit numëron rreth 3500 studentë në sistemin me frekuentim të plotë dhe 4500 studentë në sistemin pa shkëputje nga puna. Më parë funksiononte edhe sistemi i korrespodencës, që tani është mbyllur.

Struktura
Universiteti Elbasanit është një institucion kombëtar për mësimdhënie dhe shkencë dhe varet nga Ministria e Arsimit dhe Kërkimeve Shkencore.
Senati i Universitetit të Elbasanit është një organ i zgjedhur që merr vendime për problemet më të rëndësishme në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor si dhe administrim- financës.
Rektori përgjigjet për drejtimin shkencor, pedagogjik e financiar. Ai është kryetar i Senatit.
Fakultetet e Universitetit të Elbasanit janë ndarje shkencore dhe mësimdhënëse që mbulojnë punën shkencore dhe arsimore.
Këshilli Shkencor i Fakultetit është organ i zgjedhur që merr vendime për problemet më të rëndësishme të Fakultettit në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Dekani i Fakultetit drejton dhe kontrollon punën mësimore dhe shkencore të Fakultetit. Departamenti është njësia bazë mësimore dhe shkencore në të cilin marrin pjesë lektorët dhe asistent-lektorët.

Lehtësitë akademike
Si nevoja të domosdoshme për ristrukturimin e Universitetit të Elbasanit u ngritën Qendra e Kompjuterit, Qendra e Medias dhe Qendra e Edukimit në Distancë. Një kontribut të vyer për këto qendra kanë dhënë institucione të ndryshme universitare perëndimore si pjesë e programit TEMPUS, fondacionet SOROS dhe të tjera institucione perëndimore që kanë vendosur lidhje dypalëshe. Gjatë krizës së pranverës 1997 këto struktura u dëmtuan seriozisht.
  • Qendra e Kompjuterit dhe Medias;
  • Biblioteka;
  • Qendra e Studimit dhe Mësimit në Distancë;
  • Qendra e informimit studentor. Është krijuar në vitin 2001, dhe ka krijuar filialet e veta në gjitha Fakultetet e universitetit. Në ngritjen e kësaj qendre ka kontribuar Fondacioni SOROS dhe Fondacioni Hollandez;
  • Revistat. Universiteti i Elbasanit ka revistën e tij shkencore të titulluar "Buletini Shkencor i UE-së" ku botohen artikuj shkencorë të stafit akademik . Ne UE del në mënyrë periodike gazeta "Studenti";

Sot, Universiteti ka pesë Fakultete dhe një Shkollë të Lartë:
  • Fakulteti i Shkencave të Natyrës;
  • Fakulteti i Shkencave Ekonomike;
  • Fakulteti i Shkencave Humane;
  • Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
  • Fakulteti i Mësuesisë për Kl. I –IV dhe parashkollorë;
  • Fakulteti i Shkencave Sociale;
  • Fakulteti i Infermierisë.

Stafi akademik
Stafi akademik i Universitetit përbëhet nga 245 pedagogë dhe asistentë pedagogë efektivë, nga të cilët 8 janë profesorë, 12 asistentë profesorë; 20 doktorë; 20 mastera; 70 pedagogë; 17 asistentë pedagogë. Universiteti ka edhe 44 lektorë të jashtëm, nga të cilët 2 janë profesorë; 3 asistentë profesorë; 3 doktorë; 20 pedagogë; 16 asistentë pedagogë.

Kërkimi Shkencor
Kërkimet shkencore në Universitetin e Elbasanit janë në zhvillime në departamente të ndryshme, që përbëjnë njësitë shkencore. Në çdo departament ka dy seksione: një seksion në të cilin pedagogët i kanë shtrirë kërkimet e tyre në procesin e mësimdhënies, fizikë, matematikë, kimi, biologji, gjuhë shqipe dhe e huaj, letërsi, histori dhe gjeografi. Një seksion tjetër i departamentit përbëhet nga një grup pedagogësh që janë realisht kërkues shkencorë si p.sh. në shkencat eksperimentale : kimi, biologji, studimet në gjuhën shqipe, gjeografi, histori, etj.
Qendra e Kërkimeve Albanologjike dhe Ballkanike realizon studime në fushën e albanologjisë dhe ballkanistikës.
Laboratori i Kërkimeve Shkencore kryen kërkime shkencore në fushën e shkencave të aplikuara dhe në fushën e analizave të materialeve për të tretë. Ky laborator është i liçensuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimeve pranë Këshillit të Ministrave.
Fushat shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës:
  • Etimologji, Ekologji;
  • Sporpjalmi i pemëve të sotme;
  • Peshku dhe roli i popullatës në shpërndarjen e tij në lumin Shkumbin;
  • Probleme të mësimdhënies të biologjisë dhe ekologjia- etologjia në shkollë;
  • Probleme në fiziologjinë e bimëve (në fotosintezë);
  • Probleme të ndotjes në liqenin e Pogradecit;
  • Influenca e disa elementëve në materialet refraktare;
  • Metoda fizike për përcaktimin e veçorive fizike, kimike dhe mekanike tek çeliku, ferrokromi me karbon të lartë, skorjet dhe materialet refraktare;
  • Metodat në studimet fizike të materialeve laboratorike dhe kompozitat për prodhimin laboratorik e industrial;
  • Zhvillimi dhe investigimi i materialeve të forta magnetike.


Dokumenta