Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë

DREJTORËT QË NGA KRIJIMI:

1972 - 1990: Prof. Androkli Kostallari
1990 - 1993: Prof. Jorgo Bulo
1993 - 1997: Prof. Bahri Beci
1997 e në vazhdim Prof. Jorgo Bulo

THEMELIMI

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (IGJL) në Tiranë është institucion kërkimor-shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), qendër kryesore për studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare.

Fillimet e tij lidhen me Institutin e Studimeve Shqiptare, themeluar më 08.04.1940 në Tiranë. Pas Çlirimit, më 1946 u themelua Instituti i Kërkimeve Shkencore me të njëjtin emër, i cili më 1948 u quajt Instituti i Shkencave.

Me zgjerimin e veprimtarisë shkencore të këtij institucioni më 1955 u krijua Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë.

Më 1972 sektorët e gjuhësisë dhe të historisë së letërsisë të këtij instituti dolën më vete dhe formuan Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave.

FUSHAT E VEPRIMTARISË

Objekti kryesor i punës kërkimore shkencore të IGjL është gjuha dhe letërsia shqiptare. Në fushën e gjuhësisë IGjL ka si detyrë themelore studimin e shqipes e të dialekteve të saj në gjendjen e sotme dhe në zhvillimin e tyre historik, hartimin e gramatikave shkencore dhe të fjalorëve shpjegues e terminologjikë, trajtimin e çështjeve të shqipes standarde, të normës gjuhësore e të kulturës së gjuhës.

Në fushën e historisë së letërsisë detyrë e tij themelore janë studimet për zhvillimin historik të letërsisë shqiptare, për jetën dhe veprën e përfaqësuesve të saj më të shquar, hartimi i veprave përgjithësuese historiko-letrare si dhe botimi kritik-shkencor i klasikëve të traditës letrare.

  • Studimet në fushën e gramatikës janë marrë kryesisht me strukturën fonetike, morfologjike e sintaksore të shqipes dhe janë sintetizuar në shumë monografi e në veprën përgjithësuese në tre vëllime “Fonetika dhe Gramatika e gjuhës së sotme shqipe”, e cila u ribotua në dy vëllime me titull “Gramatika e gjuhës shqipe” duke përfshirë morfologjinë dhe sintaksën. Janë botuar gjithashtu studime e monografi për kategori e çështje të veçanta të gramatikës së shqipes, të mbështetura në një lëndë të pasur gjuhësore.
    Studimi i dialekteve të shqipes ka formuar një nga drejtimet e kërkimit shkencor të IGjL që nga themelimi i tij. Janë kryer kërkime dialektologjike në 300 pika në Republikën e Shqipërisë dhe në shumë pika në trojet e shqipes në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në ngulimet e arbëreshëve të Italisë. Rezultatet e kësaj pune janë kurorëzuar me krijimin e kartotekës dhe fonotekës së dialektologjisë shqipe, me hartimin e një numri të madh skicash dialektologjike dhe me përgatitjen e “Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” që është në shtyp.
    Problemet e kulturës së gjuhës, të historisë së zhvillimit të shqipes letrare si dhe procesi i standardizimit e i kodifikimit të saj janë bërë objekt studimesh të veçanta dhe i veprimtarive shkencore të rëndësishme si “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, (1972) Konferenca Shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” etj. Rezultatet në këto fusha kanë gjetur pasqyrim në veprat normative të karakterit të përgjithshëm, por dhe të veçantë si “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” dhe “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”.
    Studime të rëndësishme janë kryer edhe në fushën e historisë së shqipes, të raporteve të saj me gjuhë të tjera sidomos me gjuhët e Ballkanit dhe në fushë të etimologjisë së saj. Arritja kryesore në këtë fushë është vepra në shtatë vëllime e E. Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Rezultate të shënuara janë arritur në fushë të leksikologjisë e leksikografisë. Puna në këto fusha ka synuar të nxjerrë në dritë pasuritë leksikore të shqipes, ajo është përqendruar në studimin e strukturës kuptimore të fjalëve, në sistemin fjalëformues të shqipes dhe në hartimin e fjalorëve shpjegues e terminologjikë, si “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” dhe një sasi fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, të realizuara me grupe specialistësh të këtyre fushave.
  • Një fushë e gjerë e kërkimit shkencor të IGjL-së është historia e letërsisë shqipe. Studimet në këtë fushë kanë synuar të hedhin dritë në procesin e formimit të letërsisë kombëtare të shqiptarëve, në veçoritë e këtij procesi vështruar edhe në rrafsh krahasimtar, në krijimtarinë e shkrimtarëve më të shquar të gjithë epokave letrare. Studimet në këto fusha janë sintetizuar në veprën përgjithësuese “Historia e letërsisë shqipe”, që ka njohur dy botime, dhe në një varg monografish shkencore.
    Përpunimi i kritereve tekstologjike dhe botimi kritik-shkencor i veprës së klasikëve të letërsisë shqiptare dhe të monumenteve të shqipes së shkruar është një fushë tjetër pune e IGjL-së.

VEPRIMTARITË MË TË RËNDËSISHME

IGjL-ja organizon veprimtari të ndryshme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër veprimtaritë e organizuara gjatë dhjetë vjetëve të fundit duhen përmendur:
  • Konferenca shkencore ndërkombëtare “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot” (1992).
  • Konferenca Shkencore “Letërsia si e tillë” (1996)
  • Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Naim Frashëri dhe kultura shqiptare” (2000).
  • Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002).
  • Seminari XVI, XVII, XVIII, XIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe kulturën shqiptare (1995, 1996, 2000, 2002) në bashkëpunim me Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

ORGANIZIMI

Departamentet
  • Departamenti i gramatikës dhe i kulturës së gjuhës
  • Departamenti i historisë së gjuhës dhe i dialektologjisë
  • Departamenti i leksikologjisë, leksikografisë dhe i terminologjisë
  • Departamenti i historisë së letërsisë

Arkivi

Arkivi i IGjL-së ruan në fondet e tij dorëshkrime tekstesh të vjetra të shqipes, materiale dokumentare nga fusha e albanologjisë, që mund të shfrytëzohen nga çdo studiues. Në të ruhen gjithashtu dorëshkrime të punimeve, monografive e veprave gjuhësore a historiko-letrare të studiuesve të ndryshëm, të botuara ose jo.

Biblioteka

Biblioteka ka në fondin e saj rreth 50.000 vëllime si dhe një numër të madh periodikësh të vendit dhe të huaj për probleme të albanologjisë dhe të fushave të tjera që lidhen me të. Ajo ka një fond të pasur raritetesh bibliografike dhe nxjerr rregullisht buletinë bibliografikë e referues për literaturën që hyn në këtë bibliotekë.

Kartotekat

Kartotekat e IGjL-së formojnë bazën e të dhënave gjuhësore dhe bibliografike mbi të cilat mbështetet kërkimi shkencor në fushë të gjuhësisë dhe të historisë së letërsisë. Kartoteka e leksikut të gjuhës shqipe ka një fond prej 3.000.000 skedash leksikore. Kartoteka e gramatikës ka në fondin e saj rreth 1.000.000 skeda për njësi të veçanta morfologjike, sintaksore e fjalëformuese të vjela nga letërsia artistike, botimet folklorike dhe letërsia publicistike. Kartoteka e dialektologjisë dhe fonoteka ka në fondin e saj skeda dhe shirita me lëndë dialektologjike të regjistruara gjatë gati treçerek shekulli nga ekspeditat kërkimore në terren. Kartoteka e historisë së letërsisë përmban skeda bio-bibliografike nga fusha e historisë dhe e teorisë së letërsisë. Fondet e kartotekave të IGjL-së janë duke u kompjuterizuar për të krijuar bazën elektronike të të dhënave gjuhësore dhe bibliografike.

NUMRI I PUNONJËSVE

IGjL-ja ka në përbërjen e tij 51 punonjës, nga të cilët Prof.dr. 8, Prof.as.dr. 10, Dr. 6, Asistentë 9, Ndihmës shkencorë (filologë 11) Administrativë 7.

BOTIMET KRYESORE

A. Vepra
  • Fjalori i gjuhës shqipe (1954).
  • Historia e letërsisë shqipe (Vëll. I, II 1959).
  • Gjon Buzuku Meshari (Botim kritik, 1968).
  • Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973).
  • Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976).
  • Gramatika e gjuhës shqipe (në 2 vëllime, 1995, 2002).
  • E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes (vëll. I, II, III, IV, VI).
  • Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (1980).
  • Fjalor i shqipes së sotme (2002).
  • Seria e fjalorëve terminologjikë.
  • Historia e letërsisë shqiptare (1983)
  • J. Thomai, Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe (1999).
  • Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (në shtyp).

B. Seri
  • Dialektologjia shqiptare (I-IV)
  • Çështje të fonetikës dhe gramatikës së shqipes së sotme I-II).
  • Studime mbi leksikun dhe formimin e fjalëve në gjuhën shqipe (I-II-III).
  • Studime për letërsinë shqiptare (I-II).

BOTIMET PERIODIKE
  • Studime filologjike. Revistë shkencore që boton studime gjuhësore dhe historiko-letrare, tekste të vjetra, recensione veprash shkencore etj. Çdo punim ka një rezyme në frëngjisht ose anglisht. Numri i parë i revistës “Studime filologjike” ka dalë më 1964 si vazhdim i pjesës filologjike të Buletinit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria e shkencave shoqërore. Kryeredaktor i revistës është prof. Jorgo Bulo.
  • Gjuha Jonë. Revistë shkencore që boton artikuj e studime për kulturën e gjuhës, për probleme të normës gjuhësore dhe të përdorimeve publike të shqipes standarde. Numri i parë i revistës “Gjuha jonë” ka dalë në vitin 1981. Kryeredaktor i revistës është prof. Emil Lafe.

BASHKËPUNIMI ME SHKOLLËN E LARTË

IGjL-ja ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me shkollën e lartë. Punonjësit shkencorë më të kualifikuar të IGjL marrin pjesë në procesin pedagogjik duke mbajtur kurse të plota sistematike të disiplinave gjuhësore dhe historiko-letrare, duke zhvilluar kurse speciale për këto disiplina, duke drejtuar seminare, duke udhëhequr diploma e punime doktoratash dhe duke zhvilluar lëndë në Shkollën Pasuniversitare të profilit filologjik. IGjL-ja organizon veprimtari të përbashkëta shkencore me Universitetin e Tiranës dhe shkolla të tjera të larta të vendit, bën botime të përbashkëta, etj.

ANËTARËSIMI

IGjL-ja është anëtar i Shoqatës së Studimeve të Evropës Juglindore (AIESEE) dhe merr pjesë rregullisht në kongreset dhe veprimtaritë e tjera shkencore që organizon kjo shoqatë.

Është gjithashtu anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CISO), merr pjesë në hartimin e Atlasit të Gjuhëve të Evropës (Atlas Linguarum Europae –ALE), ka marrëveshje bashkëpunimi me Institutin Universitar Oriental të Napolit (Itali), me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në këtë kuadër dhe me institucionet e tjera atje, Institutin Albanologjik e Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, bashkëpunon dhe organizon veprimtari shkencore të përbashkëta me Universitetin e Kalabrisë dhe të Palermos etj.

Institutet e Tjera