Instituti i Fizikës Bërthamore

DREJTORËT QË NGA KRIJIMI:

1971 – 1987 - Prof. Skënder KOJA
1987 – 1990 - Prof. As. Dr. Servet DANI
1990 – 1993 - Prof. Dr. Përparim FUGA
1993 – 1994 - Prof. Dr. Dukagjin REXHA
1994 – 1999 - Prof. As. Dr. Robert KUSHE
1999 – 2000 - Prof. Dr. Xhevdet MYTEBERI
2000 – në vazhdim - Prof. Dr. Fatos YLLI
THEMELIMI

Veprimtaria e Institutit të Fizikës Bërthamore është vazhdim i veprimtarisë së Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore, te themeluar në vitin 1970, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 9, datë 16.1.1970.

Instituti i Fizikës Bërthamore - IFB është krijuar në vitin 1971, si institucion kërkimor shkencor në fushën e fizikës atomike dhe bërthamore dhe duke patur për qëllim zbatimin e metodave bërthamore në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe jetës shoqërore.

Fillimisht, Instituti ishte në varësi të Universitetit të Tiranës dhe më pas, me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqiperisë, bën pjesë në rrjetin e institucioneve shkencore të saj.

FUSHAT E VEPRIMTARISË

Instituti i Fizikës Bërthamore, në bashkëpunim me institucione e kompani prodhuese, zhvillon veprimtari kërkimore - shkencore nëpërmjet projekteve për kërkim dhe zhvillim. Detyra themelore e IFB është te realizojë veprimtari shkencore, kryesisht me karakter zbatues, dhe të transferojë metodat dhe teknologjitë e reja të fizikës dhe kimisë bërthamore në fusha të ndryshme.

DREJTIMET E VEPRIMTARISË

  • Veprimtari kërkimore që kontribuojnë në përdorimin e metodave atomike e bërthamore në fusha të ndryshme të ekonomisë, shëndetsisë, mjedisit, kulturës, kërkimit shkencor etj,
  • Realizimi i teknikave dhe metodave të reja analitike me synim transferimin e tyre në sektorët publik dhe privat,
  • Kryerja e shërbimeve të specializuara në fushën e monitorimit dhe mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese,
  • Arsimimi universitar dhe pasuniversitar në fizikë, kimi dhe elektronikë, trainimi i përdoruesve të rrezatimeve jonizuese nëpërmjet programeve speciale etj.

Fushat e veprimtarisë dhe tematika:
  • Monitorimi dhe mbrojtja e mjedisit dhe publikut - Instituti realizon përcaktimin e radioaktivitetit në kampione ambientale, biologjike dhe ushqimore për qellime kërkimi e monitorimi. Janë realizuar matje të radioaktivitetit për të vlerësuar efektet e aksidentit bërthamor të Çernobilit (1986) në mjedis dhe shëndetin e njerëzve. Ekipet e tij kanë realizuar matje në zonën verilindore të vendit për problemet e ndotjes me uranium të varfëruar, si pasojë e përdorimit të tij gjatë konfliktit të Kosovës. Prej vitesh realizohen matje të radioaktivitetit natyror në sistemet e ujërave të pishëm, siperfaqësore e termale. Për mbrojtjen e shëndetit të publikut është kryer monitorimi i përqendrimit të radonit dhe gazeve radioaktive në ndërtesat e banimit dhe mjediset publike.
  • Mbrojtja radiologjike - Mbrojtja dhe siguria nga rrezatimet jonizuese përbëjnë një drejtim tradicional. Instituti kryhen monitorimin e dozës së ekspozimit të punonjësve të tij dhe të qëndrave e kompanive që përdorin burime të rrezatimeve jonizuese duke mbajtur edhe regjistrin e dozës së ekspozimit për të gjithë punonjësit në shkallë vendi. IFB realizon në nivel kombëtar trajtimin dhe kondicionimin e mbetjeve radioaktive dhe burimeve radioaktive të konsumuara.
  • Emergjencat radiologjike - Emergjencat radiologjike janë pjesë e emergjencave civile. Pranë Institutit është ngritur dhe funksionon Qëndra e Emergjencave Radiologjike, e lidhur me rrjetin e monitorimit të dozës së rrezatimit Rrjeti përbëhet nga 5 stacione automatike të matjes së dozës së rrezatimit dhe transmetimit të informacionit në Qendrën e Emergjencave. Stacionet automatike janë vendosur në Tiranë, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Vlorë.
  • Mjekësia - Perdorimi i izotopëve radioaktive për qëllime diagnostikuese e terapeutike është një nga verimtaritë e para të Institutit në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare. Pranë Institutit është ngritur Laboratori i Prodhimit te Radiofarmaceutikateve, ku janë përgatitur kite të ftohta të 99mTc dhe kapsula xhelatinoze, të miratuara nga Drejtoria e Pergjithshme e Barnave. Krahas Laboratorit të Prodhimit funksionon Laboratori i Kontrollit të Cilesisë së Radiofarmaceutikateve, i cili realizon kontrollin e të gjithë parametrave cilësorë.
  • Gjeologjia - Me anë të teknikave unikale (Aktivimi Neutronik, Floureshenca e Rrezatimit X etj), Instituti realizon analiza shumë-elementore në kampione të gjeologjisë metalifere dhe naftës, përcaktimin e moshës absolute gjeologjike, analizën e izotopëve stabël të karbonit nga gazi metan dhe nafta etj. IFB ka dhënë një kontribut në përgatitjen e Atlasit Gjeokimik të Shqipërisë me anë të përcaktimit të rreth 25 elementëve në kampione dheu dhe sedimentesh.
  • Hidrogjeologjia - Prej gati 20 vjetësh studjohet lëvizja e ujërave siperfaqësore e nentokësore duke përdorur izotopët radioaktive. Vitet e fundit me perdorimin e gjurmuesve ambientale, hidrokimike dhe fluoreshente janë realizuar studime masive dhe komplekse për rezervat e baseneve ujore, komunikimet e tyre nëntokësore, kohën e tranzitimit të ujit, përcaktimin e bilanceve ujore, etj. Rezultatet tregojnë për epërsitë e ketyrë metodave, duke dhënë përfytyrime të reja hidrologjike të sistemeve të studiuar.
  • Sedimentologjia - Lëvizja e sedimenteve detare dhe dherave është studiuar me metoda radioaktive duke përdorur izotopë radioaktive jetëshkurtër dhe ambjentale. Metodat bërthamore janë përdorur për të studjuar dinamikën e sedimenteve të Gjirit të Durrësit dhe atij të Vlorës, për të monitoruar ndryshimin e vijës bregdetare, erozionin e tokave dhe mbushjen e baseneve ujore, etj.
  • Bujqesia dhe Biologjia - Instituti përdor rrezatimet bërthamore për stimulim të farërave, ndryshime gjenetike nëpërmjet mutagjenezës fizike dhe kimike dhe konservimin e produkteve bujqësore. Izotopët radioaktive dhe stabël janë përdorur për studime agrokimike dhe zooteknike, plehrimin racional, efektivitetin e përdorimit të mikro dhe makroelementëve në ushqimin e blegtorisë etj.
  • Metrologjia - Metrologjia e radioaktivitetit dhe fushave të rrezatimeve X, gama dhe neutronik, si dhe pergatitja e burimeve për zbatime në industri, mjekësi, radio-mbrojtje, etj përbëjnë nje veprimtari të rëndësishme. Këtë vit përfundon ngritja e Laboratorit të Kalibrimit të instrumentave matëse dozimetrike, i cili do të realizojë detyra të rëndësishme në nivel kombëtar.
  • Shkenca e materialeve - Me anë të teknikave specifike si Spektroskopia Mössbauer dhe Spektroskopia Raman janë realizuar studime për strukturat magnetike dhe kristalografike të materialeve kristalore, nanokristalore dhe amorfe, për gjëndjet strukturore të karbonit, për veshjet mbrojtëse ndaj oksidimit dhe korrozionit në formën e shtresave të holla, etj.
  • Industria - Gjatë viteve janë realizuar studime në industrinë metalurgjike, kimike, ushqimore etj, duke përdorur izotopet radioaktive si gjurmues në proceset teknologjike si: efektiviteti i filtrave në metalurgjinë e hekur–nikelit, proceset e korrodimit të veshjeve zjarrduruese në furra, përcaktimi i homogjenitetit të perzierjeve, kontrolli i uniformitetit dhe trashësisë së letrës etj. Jane kryer studime për modifikimin e vetive të fletëve të polietilenit e të tubave PVC (efekti i kujtesës) nëpërmjet rrezitjes.
  • Arkeologjia dhe veprat e artit - Metodat analitike përdoren për vlerësimin e origjinës së materialeve arkeologjike, teknikës së përgatitjes dhe temperaturës së pjekjes së terrakotave dhe objekteve qeramike nga vendbanime antike ilire. Eshtë studjuar përbërja e pigmenteve në pikturat e autoreve të vjetër shqiptare dhe bëhen përpjekje për datimin e objekteve arkeologjike me metodën e karbonit.
  • Elektronika dhe Informatika - Grupi përkatës realizon kontrollin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e parametrave të pajisjeve elektronike. Eshtë realizuar projektimi dhe prodhimi i moduleve të sistemeve detektues dhe matës për disa zbatime të metodave bërthamore në industri. Po punohet për ngritjen e rrjetit lokal të informacionit dhe krijimin e bazës së të dhënave të veprimtarive shkencore.
  • Legjislacioni - Instituti jep kontribute në përgatitjen dhe permiresimin e legjislacionit shqiptar si dhe ka realizuar punën përgatitore për një sërë aktesh ndërkombëtare që është finalizuar me miratimin e tyre nga Parlamenti shqiptar.

VEPRIMTARITË MË TË RËNDËSISHME

Veprimtaritë më të rëndësishme gjatë periudhës së fundit janë:
  • Pjesëmarrja në projekte kombëtare dhe rajonale,
  • Ngritja e laboratoreve për kërkim dhe prodhim:

  • Laboratori i prodhimit dhe kontrollit te cilësisë së radiofarmaceutikateve,
    • Laboratori i gjurmuesve artificialë dhe hidrokimisë,
    • Laboratori i mbetjeve radioaktive, për kondicionimin dhe ruajtjen e burimeve radioaktive të konsumuara,
    • Laboratori i kalibrimit të instrumentave dozimetrike,
    • Qendra e Emergjencave Radiologjike dhe rrjeti i monitorimit të dozes së rrezatimeve me 5 stacione automatike,

  • Realizimi i disa projekteve studimore:
    • Realizimi i Hartës gjeokimike të Shqipërisë,
    • Studimi i një ekosistemi kompleks që përfshin zonën: lumi i Erzenit – lumi i Matit – Mali me Gropa, me gjurmues hidrokimike, ambjentale dhe artificiale,
    • Studimi i liqenit të Prespës dhe komunikimit të tij me burimet në breg të liqenit të Ohrit,
    • Përdorimi i sistemit portabël të FRX për vlerësimin e ndotjes me bakër të sedimenteve të brigjeve te lumit Mat,
    • Monitorimi i zonës verilindore të vendit për praninë e uraniumit të varfëruar.

  • Organizimi i kurseve kombëtare dhe rajonale të trainimit:
    • Kursi rajonal “Mbrojtja dhe siguria nga rrezatimet jonizu-ese në mjekësinë bërthamore” (27 Maj – 7 Qershor 2002),
    • Kursi kombëtar “Reagimi ndaj emergjencave radiologjike dhe administrimi i tyre” (14 – 16 Prill 2003),
    • Kursi kombëtar “Zbulimi dhe luftimi i trafikut ilegal të materialeve radioaktive” (8 – 12 Dhjetor 2003).


ORGANIZIMI

IFB është i organizuar në 4 departamente shkencore:

Departamenti i Analitikës Instrumentale
  • Sektori i Analizave Multielementore
  • Sektori i Strukturës se Materialeve
  • Laboratorët:
    • Analiza me aktivim neutronik,
    • Fluoreshenca e rrezeve X,
    • Spektroskopia e absorbimit atomik,
    • Spektroskopia Mössbauer,
    • Spektroskopia Raman

Departamenti i Teknologjive
  • Sektori i Gjurmuesve Ambjentale dhe Artificialë
  • Sektori i Ndryshimeve Radiacionale
  • Laboratorët:
    • Masspektrometria,
    • Gjurmuesit artificiale dhe Hidrokimia,
    • Modifikimi radiacional

Departamenti i Mbrojtjes Radiologjike Humane dhe Mjedisit
  • Sektori i Emergjencave Radiologjike dhe Mbrojtjes Profesionale
  • Sektori i Mbrojtjes së Publikut dhe Mjedisit
  • Laboratorët:
    • Matja e radioaktivitetit mjedisor,
    • Trajtimi i mbetjeve radioaktive,
    • Kalibrimi i instrumentave dozimetrike,
    • Qendra e emergjencave radiologjike,

Departamenti i Kimisë dhe Elektronikës
  • Sektori i Kimisë dhe Biologjisë
  • Sektori i Elektronikës dhe Teknikës
  • Laboratorët:
    • Prodhimi i radiofarmaceutikateve,
    • Kontrolli i cilësisë së radiofarmaceutikateve,
    • Radiokimia
    • Datimi me metoden e karbonit,
    • Elektronika bërthamore.

NUMRI I PUNONJËSVE

IFB ka 70 punonjës, nga të cilët: Punonjes shkencorë 27, Profesor 8, Profesor i Asociuar 3, Doktor i Shkencave 1, Kerkues 1, Asistent 14, Punonjës ndihmës-shkencorë 24, Punonjës administrativë 19.

BOTIMET KRYESORE

IFB ka botuar:
  • Rregullore e punës me lëndë radioaktive.
  • Punë eksperimentale të fizikës.
  • Elemente të fizikës atomike dhe bërthamore të aplikuar.
  • Dozimetria dhe mbrojtja nga rrezatimet jonizuese.

BOTIMET PERIODIKE

Instituti ka botuar buletinin shkencor me titull: “Punime të Institutit të Fizikës Bërthamore” (1983 – 1990). Botimi i buletinit është ndërprerë për arsye financiare të periudhës së tranzicionit. Po bëhen përpjekje për botimin e një reviste periodike shkencore “Revista e Fizikës dhe Kimisë” sipas normave bashkëkohore.

BASHKËPUNIMI ME SHKOLLËN E LARTË

IFB bashkëpunon me:
  • Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës në veprimtari kërkimore-shkencore të përbashketa, në procesin e mësimdhënies, në hartimin e programeve mësimore universitare e pasuniversitare dhe organizimin e SHPU-ve, në udheheqjen e diplomave dhe dizertaciouneve,
  • Universitetin e Shkodrës, Korçës, Elbasanit dhe Vlorës ne pune kerkimore dhe ne procese te monitorimit,
  • Komisionin e Mbrojtjes nga Rrezatimet, Drejtorinë e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit, QSU “Nënë Tereza’’, Sherbimin Gjeologjik Shqiptar etj,
  • Institute analoge të vendeve fqinjë dhe vendeve të tjera të Europës.

ANËTARËSIMI

Në baze te VKM nr. 197, datë 18. 3. 1996, “Rrjeti i institucioneve shkencore shteterore”, Instituti i Fizikës Bërthamore përfaqeson Autoritetin Atomik të vendit dhe luan rolin e këshilltarit teknik për Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me bashkëpunimin me Agjensinë Ndërkombetare të Energjisë Atomike.

Me Vendim e Kryesisë së Akademisë së Shkencave, nr. 1, datë 16. 1. 2004, ngrihet Këshilli i Autoritetit Atomik Kombetar, prej 9 antarësh dhe që kryesohet nga drejtori i Institutit të Fizikës Bërthamore.

RRJETET E MONITORIMIT

IFB ka ngritur rrjetet e mëposhtme të monitorimit:
  • Monitorimi i radioaktivitetit mjedisor (depozitime atmosferike, ujëra siperfaqësore)
  • Monitorimi i dozës së ekspozimit për punonjesit profesionistë,
  • Monitorimi për ndotje radioaktive i produkteve të import – eksportit.
  • Monitorimi i metaleve të rënda në ajrin urban.

Institutet e Tjera