Instituti i Arkeologjisë

DREJTORËT QË NGA KRIJIMI:

1955-1966. - Prof. Selim Islami
1967-1976 - Dr.Muzafer Korkuti
1976-1982 - Prof. Aleksandra Mano
1982-1990 - Prof. Muzafer Korkuti
1990-1993 - Prof. Neritan Ceka
1993-1997 - Prof. Namik Bodinaku
1997 e në vazhdim / ongoing - Prof. Muzafer Korkuti

THEMELIMI

Veprimtaria kërkimore e studimore arkeologjike shqiptare nis pas Luftës së Dytë Botërore, kur të gjitha vlerat historike e kulturore u vunë nën mbrojtjen e shtetit. Institucioni i parë i kësaj natyre, Muzeu Arkeologjik- Etnografik, u krijua në Tiranë në vitin 1948.

Më vonë me krijimin e Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë në vitin 1955, krahas sektorëve të tjerë të historisë, u krijua dhe Sektori i Arkeologjisë që organizoi e drejtoi kërkimet dhe studimet arkeologjike në të gjithë vendin.

Në vitin 1976 ky sektor u shndërrua në Qendra e Kërkimeve Arkeologjike të Akademisë së Shkencave, me tre sektorë shkencorë: sektori i prehistorisë, sektori i antikitetit ilir dhe sektori i mesjetës si dhe tetë bërthama shkencore në rrethe. Në vitin 1992 Qendra e Kërkimeve Arkeologjike u shndërrua në “Insituti i Arkeologjisë”.

Objekti i veprimtarisë së Institutit janë kërkimet, gërmimet dhe studimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe udhëheqja shkencore e metodike e muzeve të profilit arkeologjik në varësi të tij në Tiranë, Durrës, Apoloni, Butrint dhe Korçë.

FUSHAT E VEPRIMTARISË

Departamenti i Prehistorisë

Ka për objekt studimin e gjurmëve më të hershme të shoqërisë njerëzore në territorin e Shqipërisë duke filluar me Paleolitin, Mezolitin, Neolitin dhe epokat e metaleve si Eneolitin, Bronzin e Hekurin, deri në periudhën historike.

Paleoliti

Megjithëse zbulimi i gjurmëve të paleolitit ka nisur që në vitet ’30 të shek. të kaluar me kërkimet e L. Cardini në stacionin e Xarës dhe ka vazhduar pas luftës nga studiuesit shqiptarë, sot mund të themi se studimi i kësaj periudhe është ende në fillim. Deri tani janë zbuluar stacione paleolotike që i përkasin Paleolotit të Mesëm (Gajtani I, Xara I, Diaporiti I, Kryegjata, Rusinj etj) dhe Paleolitit të lartë (Xara II, Shën Marina, Konispol I, Kryegjata II, Rrëza e Dajtit, Gajtan II, Diaporit II, Shëndëlli, Shën Dhimitri etj). Në dekadën e fundit është shënuar një hap i madh përpara nëpërmjet kërkimeve sipërfaqsore duke organizuar projekte të përbashkëta me partnerë të huaj dhe duke aplikuar metoda bashkohore të kërkimit.

Mezoliti

Kërkimet për epokën e Mezolitit (10.000-7.000 p.e.r.) janë disi më mbrapa. Ato nisin në vitet ’70 me zbulimin e stacionit mezolitik të Vlushës dhe pasohet me zbulimin e atij të Konispolit në vitet ’90. Kërkimet e viteve të fundit kanë evidentuar pika të reja mezolitike si Kryegjatë, Goranxi, Diaporit III, Rrëza e Kanalit etj.

Neoliti dhe Eneoliti

Në qoftë se dy periudhat e para janë pak të studiuara, epoka e Neolitit dhe ajo pasardhëse, e Eneolitit (ose e bakrit) paraqiten me një pamje krejt ndryshe. Kërkimet për këto periudha fillojnë në 1948 me zbulimin e një prej vendbanimeve më të rëndësishme, siç ishte vendbanimi i Maliqit në rrethin e Korçës, duke vazhduar më pas me zbulimin dhe gërmimin e shumë vendbanimeve të tjera. Vendbanime neolitike dhe eneolitike janë zbuluar në rrethet Berat, Dibër, Kukës, Librazhd, Fier, Korçë, Ersekë, Kukës, Mat, Përmet etj, ku një vend të veçantë zë pellgu i Korçës me vendbanime si Podgoria, Duanaveci dhe Maliqi. Studimi i vendbanimeve neolitike dhe eneolitike merr një rëndësi të veçantë në kushtet e mungesës së plotë të të dhënave për banorët e lashtë të vendit tonë. Në kërkimet e kohëve të fundit, për arritjen e përfundimeve më të sakta që do ti afroheshin më shumë të vërtetës, po aplikohen metodat bashkëkohore dhe po bashkëpunohet me specialistë të fushave të ndryshme si paleobotanist, paleozoologë, etj. në mënyrë që të krijohet një tablo sa më e qartë dhe më e plotë e jetës dhe mjedisit në këto periudha.

Epoka e Bronzit

Përfshin një periudhë (mijëvjeçarin e tretë e të dytë p.e.r.) gjatë së cilës ka patur zhvillime e përparime të rëndësishme të shoqërisë parahistorike, të cilat kanë qenë objekt kërkimi dhe studimi të departamentit të prehistorisë. Të dhënat më të rëndësishme janë përftuar nga një numër i madh varrezash tumulare (Vodhinë, Bajkaj, Dukat, Vajzë, Patos, Pazhok, Barç, Mat, etj), me përhapje gjeografike në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe më pak nga gërmimet në vendbanimet e kësaj periudhe (Gajtan, Nezir, Maliq, Tren, etj). Me epokën e bronzit lidhet fillimi i procesit të formimit të një popullsie të re mbi bazën e dy substrakteve, vendase dhe atij të ardhur nga lindja në fillim të bronzit.

Epoka e Hekurit

Ka një shtrirje kohore nga shek. X-V p.e.r. Një vend shumë të rëndësishëm në studimin e kësaj periudhe zë kultura materiale e shpirtërore e ilirëve, formimi e konsolidimi i etnosit ilir dhe fillimi i organizimit politik të tyre në federatat e para fisnore. Studimi i kësaj periudhe është bërë e mundur nga germimi i shumë vendbanimeve dhe varrezave ku është zbuluar një material i shumëllojshëm bazë për evidentimin e interpretimin e kulturës ilire në marrëdhënie me kulturat fqinje më në zë të kohës.

Gërmimet sistematike për epokën e bronzit dhe hekurit filluan në vitet pesëdhjetë. Në fillim u ndërmorën një varg fushatash për hapjen e varrezave tumulare. Në vitet 1952-’56 u bënë gërmime në disa tuma të luginës së mesme të lumit Mat, po në këto vite u bënë gërmime edhe në tumat e Vajzës në rrethin e Vlorës dhe në Dropullin e Sipërm. Në vitet 1960-1980 u bënë gërmime në tumat e Pazhokut, në ato të Krumës, Kënetës, Çinamak në rrethin e Kukësit; të Kuçit të Zi e të Barçit në rrethin e Korçës; në të Çepunës dhe të Bajkajt rrethi në Sarandës; në tumën e Prodanit e Rehovës rrethi i Kolonjës, në tumat e Dukatit në rrethin e Vlorës; në tumat e Patosit në rrethin e Fierit; në tumat e Dedaj e ato te Shtojit në rrethin e Shkodrës; në Piskovë dhe Rapckë në rrethin e Përmetit; në Burrel, në Kamenicë të Korçës etj.

Në vitet 1961-’63 u gërmua kalaja e Gajtanit, në vitet 1961-’66 u bënë gërmime sistematike në vendbanimin e Maliqit. Më pas gërmime u shtrinë dhe në vendbanime të tjera prehistorike, si në Tren të Korçës; në Kamnik të Kolonjës dhe në Cakran të Fierit; në Dunavec dhe Vashtëmi të Korçës; në Burim të Peshkopisë; në Burimas të Korçës; në Bënjë të Përmetit; në Konispol, Rajcë e Rashtan të Librazhdit; në Topojan të Peshkopisë etj.

Departamenti i Antikitetit

Periudha qytetare ilire. (shek. V-I p.e.r.) - Trajton problemet kryesore që lidhen me themelimin dhe zhvillimin e qyteteve dhe shteteve ilire. Fillon me qëndrat e para protourbane ilire dhe qytetet koloni në territorin ilir. Në tematikën e studimit të kësaj periudhe përfshihet sistemi urbanistik i qytetit dhe organizimi politk në faza të ndryshme zhvillimi, pa lënë jashtë dhe veprimtarinë ekonomike, prodhimin dhe shkëmbimin, qendrat kryesore të prodhimit dhe shkëmbimit, raportet me qendrat e tjera qytetare, raportet me kolonitë. Një vend të rëndësishëm zë studimi i procesit të krijimit dhe zhvillimit të shtetit ilir. Për studimin e qytetit dhe shtetit ilir janë kryer gërmime në një sërë qytetesh antike ilire, si Amantia, Antigoneja, Apolonia, Butrinti, Bylisi, Dimali, Dyrrahu, Lisi, Oriku, Skodra, Selca e Poshtme, Zgërdheshi, etj. Një kujdes i veçantë është treguar që kërkimet arkeologjike në qytetet antike ti kthejnë ato në pika të vizitueshme për publikun e gjërë vendas e të huaj.

Periudha romake (shek.I p.e.r. - III e.r.) - Eshtë periudhë që përfshihet në fushën e studimit të Departamentit të Antikitetit. Përfshirja e Ilirisë në Perandorinë Romake pati rrjedhojat e veta. Problemet kryesore që trajtohen janë të lidhura me ndryshimet që pasuan pushtimin romak të Ilirisë së Jugut. Në fushën e antikitetit janë ndërmarrë gërmime në një varg vendbanimesh të fortifikuara dhe qytete ilire. Në grupin e këtyre qyteteve ilire janë Amantia, në Ploçë të Vlorës; në kalanë e Irmajt në rrethin e Gramshit; në kalanë e Gajtanit në rrethin e Shkodrës; në Rosuj të Tropojës; në Çukë të Ajtoit në rrethin e Sarandës; në qytetin e Dimalit në fshatin Krotinë të rrethit të Beratit; në Antigone pranë fshatit Saraniq të rrethit të Gjirokastrës; në qytetin e Lisit; në qytetin e Zgërdheshit në afërsi të Krujës; në qytetetin e Selcës së Poshtme të Pogradecit; në qytetin e Klosit; në Bylis, Margëlliç e Mashkjezë të rrethit të Fierit; në Butrint. Gërmime janë ndërmar dhe në qytetet koloni si në Dyrrah, në Apoloni dhe në Orik.

Departamenti i Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës

Antikiteti i Vonë (shek. IV-VI e.r.) - Eshtë një periudhë historike e mbushur me ngjarje të vrullshme dhe mungesë stabiliteti nga dyndjet e barbarëve. Kjo ka bërë që të ndërmerret një punë intensive kërkimore dhe studimore për të hedhur dritë mbi problemet kryesore që shtrohen për këtë periudhë, nga të cilët më i rëndësishmi është problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare. Për të sqaruar këto probleme janë kryer gërmime në qendra të Antikitetit të Vonë, si në Berat, Butrint, Kaninë, Bylis, Lezhë, Paleokastër, Pogradec, Symizë, Zharrë, Grazhdan, Lezhë etj. Jane gërmuar gjithashtu dhe disa godina të kultit paleokristian, si bazilikat e Linit, e Ballshit, Tepes, Amantias, Mesaplikut, Monumente të kultit kristian në Shqipërinë Jugore etj. Problemi kryesor që arleologët kanë mundur të ndjekin në tërë këto gërmime kanë qenë procesi i transformimeve nga periudha romake në atë të Antikitetit të Vone. Ne ndihmë të arkeologjisë vijnë të dhënat nga fusha të tjera si nga historia dhe gjuhësia.

Në fushën e kulturës së hershme mesjetare - Kërkimet kanë patur si përmbajtje njohjen e prezantimin e kulturës arbërore ku ka një mungesë të ndjeshme të burimeve të tjera dokumentare. Kjo është bërë e mundur nga gërmimet e studimet në vendbanimet e fortifikuara siç janë kalaja e Sletushit në Mat; e Shurdhahut; e Pogradecit; e Kaninës, e Beratit etj. Gërmime janë bërë edhe në një varg varrezash të kulturës së hershme arbërore si në varrezën e Komanit të Pukës; në Bukël të Mirditës; në varrezën e Krujës; në varrezën e Shurdhahut në Shkodër.

Bashkëpunime në Kërkimet e Studimet Arkeologjike - Gjatë viteve ’90 filloi një etapë e re bashkëpunimi të Institutit të Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave me institucione analoge të huaja. Në 1991-1994 ekspeditë e përbashkët shqiptaro-greke, për kërkime në Butrint. Në 1992-1996 ekpeditë shqiptaro-amerikane prehistorike në shpellën e Konispolit. Në vitet 1993 e në vazhdim u ndërmorën gërmime në qytetin e Apolonisë nga një ekspeditë shqiptaro-franceze. Ekspedita tjetër shqiptaro-franceze nga viti 1994 e në vazhdim punon për zbulimin e vendbanimit prehistorik të Sovjanit (Korçë).Gjithashtu ekspeditë tjetër shqiptaro-franceze prej disa vjetësh po vazhdon kërkimet në Bylisin Bizantin. Nga viti 1994 e në vazhdim një ekspeditë shqiptaro-angleze punon për zbulimin e qytetit antik te Butrintit. Gjithashtu kërkime sipërfaqsore prej disa vitesh po kryhen në Mallakastër në bashkëpunim me Universitetin e Cicinatit të SHBA. Këtyre bashkëpunimeve u janë shtuar edhe gërmimet në Finiq, projekt shqiptaro – italian, kërkimet në bazilikën e Sarandës, bashkpunim shqiptaro – izraelit, kërkimet në Kosovë, bashkëpunim me Muzeun e Prishtinës si dhe disa bashkëpunime të tjera që mund të fillojnë në të ardhmen.

VEPRIMTARITË MË TË RËNDËSISHME

  • Simpoziumi “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve” (1969)
  • Kuvendi I i Studimeve Ilire. (1972)
  • Konferenca në bashkëpunim me Insitutin e Historisë dhe të Gjuhësisë: “Mbi formimin e popullit shqiptar, gjuhes e kulturës së tij.” (1982)
  • Kuvendi i II i Studimeve Ilire (1985)
  • Konferenca Ndërkombëtare:“Krishtërimi i hershëm dhe Shqipëria” (1995).
  • Simpoziumi ndërkombëtar “50 vjet Arkeologji Shqiptare” (1998).
  • Simpoziumi Ndërkombëtar “Viti Arkeologjik 2002”.
  • Sesionet shkencore vjetore për rezultatet e kërkimeve arkeologjike në Shqip.

ORGANIZIMI

Departamentet:
  • Departamentet i Prehistorisë,
  • Departamenti i Antikitetit,
  • Departamenti i Antikitetit të Vonë,
  • Departamenti i Mesjetës,

Sektori i Muzeve përbëhet nga:
  • Grupi i Muzeut,
  • Grupi i Fondeve,
  • Grupi i Restaurimit.

Sektori i përgjithshëm përbëhet nga:
  • Dega ekonomiko-financiare dhe Administrata.
  • Grupi i Dokumentacionit përbëhet nga:
    • Dokumentacioni grafik,
    • Laboratori fotografik,
    • Arkivi.
  • Redaksia e Revistës “Iliria”
  • Bibloteka shkencore.
  • Kabineti numizmatik
  • Departamenti Arkeologjik Durrës: Sektori shkencor dhe Sektori i Muzeut
  • Sektori Arkeologjik i Apolonisë ndahet në grupe shkencorë e punonjës të tjerë.
  • Sektori Arkeologjik i Butrintit ndahet në grrupe shkencor dhe punonjës të tjerë.
  • Grupi Arkeologjik i Korçës.

NUMRI I PUNONJËSVE

Instituti i Arkeologjisë ka 72 punonjës, nga të cilët: Prof. Dr. 5, Prof. As. 10, Dr. 3, Asistentë 12, Ndihmës shkencor 16, Administratë 26

BOTIMET KRYESORE

Kërkimet në fushat e ndryshme që studion arkeologjia kanë gjetur pasqyrim në botimet: “Historia e Shqipërise” I (Pjesa e Lashtësisë), grup autorësh, “Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri”; “Ilirët”; “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”; “Shqipëria Arkeologjike”; “Arkeologjia” botimi i I dhe i II; “Butrinti” 1959; “Kultura ilire në pellgun e Korçës”; “Butroti” (përmbledhje studimesh), grup autorësh; “Qyteti ilir pranë Selcës së Poshtme”; “Arkeologjia”, botim i vitit 1993; “Në kërkim të historisë ilire”; “Bibliografi e arkeologjisë dhe e historisë së lashtë së Shqipërisë” e vitit 1945-1971; e vitit 1972-1983; e vitit 1984-1994, “Korpusi i mbishkrimeve greke të Ilirisë së Jugut dhe të Epirit”, Phoinike II, “Parailirët, Ilirët,Arbërit”, “Scodra dhe Praevalis në Antikitetin e Vonë”, “Fortifikime të shekujve IV-VI në Dardaninë Perëndimore” nga, etj.

BOTIMET PERIODIKE

Kërkimet në fushat e ndryshme që studion arkeologjia kanë gjetur pasqyrim kryesisht në revistën arkeologjike “Iliria” pronë e Institutit të Arkeologjisë, gjithashtu dhe në periodikët e tjerë si në revistën “Studime Historike”; pronë e Institutit të Historisë, në revistën “Studia Albanica” të Akademisë së Shkencave, në revistën “Monumentet” pronë e Institutit të Monumenteve etj. si dhe në botimet e veçanta të materialeve të kuvendeve, koferencave dhe sesioneve shkencore; etj.

Në revistën e përvitshme arkeologjike “Iliria” botohen kryesisht studime, por edhe raporte erezultate germimesh.

BASHKËPUNIMI ME SHKOLLËN E LARTË

Nga viti 1997 Insituti Arkeologjik ka bashkëpunuar sistematikisht me Universitetin e Tiranës, Fakultetin Filologji-Histori, dega Histori. Mundësitë e krijuara vitet e fundit për studentët e kësaj dege për të përzgjedhur specialitete të ndryshme, një prej të cilave është dhe arkeologjia, ka mundësuar mësim-dhënien e specialistëve të Institutit Arkeologjik në fushën e prehistorisë, të antikitetit ilir dhe të antikitetit të vonë dhe mesjtës. Kjo shoqërohet me kurset për dhënien e njohurive praktike (për metodat e mjetet e gërmimit) gjatë ekspeditave arkeologjike, ku studentët e këtij profili marrin pjesë. Leksione me cikël më të shkurtër për arkeologjinë bëhen nga specialistët tanë edhe në Universitetet e Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës për degët e historisë.

ANËTARËSIMI

Ekziston antarësia e shumë arkeologëve në organizma ndërkombëtare në mënyrë individuale, si Organizata Botërore e Arkeologjisë (WAO), Shoqata e Arkeologëve Europian (EAA), Komiteti Botëror i Muzeve (ICOM), Komiteti Ndërkombëtar i Monumenteve (ICOMOS), Shoqata Prehistorianëve Europian, antarë korrespondent të Institutit Arkeologjik Gjerman etj.

Institutet e Tjera