Historiku i Zhvillimit të Shkencës në Shqipëri

Në Shqipëri fjala "Akademi" u përmend për herë të parë më 1750, kur u krijua në Voskopojë e ashtuquajtura "Akademia e Re". Në atë kohë ajo ishte njëherazi shkollë e mesme dhe një qendër kulturore e mirënjohur jo vetëm në Shqipëri, po edhe jashtë saj. Ndonëse "Akademia e Re" nuk kishte as ndërtimin, as detyrat e Akademive të Shkencave në vende të tjera të Europës, ajo është e lidhur me trashëgiminë dhe zhvillimet kulturore të popullit shqiptar. Pavarësisht nga fakti që Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë për shekuj nën sundime e administrime të huaja, ata mundën të mbijetonin duke ruajtur e duke zhvilluar gjuhën dhe kulturën e vet origjinale.

Në shekuj nuk kanë munguar përpjekjet e shqiptarëve për të lëvruar dijet e tyre. Kontributet kulturore dhe shkencore të tyre mund të hasen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende europiane e më tej. Ato shfaqeshin në tri fusha kryesore:

  • Në fushën humanitare (filozofi, histori, letërsi, teologji, folklor) nga njerëz si Dhimitër Frëngu (1443-1525); Gjon Buzuku (shekulli XVI); Marin Barleti (rreth 1460-1512); Pjetër Budi (1566-1623); Frang Bardhi (1606-1643); Pjetër Bogdani (1625-1689) etj;
  • Në fushën e artit (nga muzikantë, piktorë dhe skulptorë) siç është Jan Kukuzeli (1010-1075) - figura më e njohur në muzikë; piktori më i njohur Onufri (shekulli XVI), piktorët e shekullit XVIII: David Selenicasi dhe Konstandin Shpataraku etj;
  • Në fushën e shkencës nga dijetarë si Gjon Gazulli (1400-1465), astronom dhe matematikan; Leonik Tomeu (1456-1531), astronom, filozof dhe profesori i Nikola Kopernikut në Universitetin e Padovës etj.

Pushtimet e njëpasnjëshme dëmtuan dhe penguan zhvillimin kulturor dhe përparimin e vendit, por nuk mundën të ndërpritnin trashëgiminë kulturore shqiptare dhe të tjetërsonin origjinalitetin e artit e të kulturës popullore shqiptare. Kjo vërehet në burimet e shkruara historike, në dëshmitë e shumta gjuhësore, në gjetjet arkeologjike, në kostumet e mrekullueshme dhe në folklorin shqiptar, në mjediset e brendshme dhe në punimet artizanale. Për shkak të këtyre rrethanave historike shqiptarët humbën kohë në zhvillimin e tyre kulturor dhe shkencor. Madje edhe dëshmitë e para madhore të shkrimit shqip e të letërsisë shqipe janë të shekullit XVI (Gj. Buzuku 1555, L. Matrënga 1592), ndonëse shqipja është një nga gjuhët më të lashta indoeuropiane.

Sundimet e huaja nuk u lejuan shqiptarëve as të hapnin shkolla në gjuhën amtare. Vetëkuptohet se në ato kushte as që mund të bëhej fjalë për institucione shkencore. Pavarësisht nga mohimi i të gjitha të drejtave kulturore e arsimore të shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe nga politika e shovinizmit kulturor të monarkive fqinje, puhiza e Rilindjes Evropiane hyri në Shqipëri. Ndërkaq ishte krijuar një traditë e shëndoshë letrare dhe kërkimesh shkencore për gjuhën dhe lashtësin e kombit tonë te arbëreshët e Italisë, sidomos pas themelimit të Kolegjit të Palermos dhe Kolegjit të Shën Adrianit (në Shën Mitër të Kalabrisë) në vitet ’30 të sh. XVIII. Veprat e Engjëll Mashit, Vinçenc Dorsës, Dhimitër Kamardës, Jeronim De Radës etj. tërhoqën vëmendjen e botës shkencore dhe nxitën zhvillimin e studimeve shqiptare. Edhe te arvanitasit në Greqi zhvillohet interesimi për të ndriçuar shkencërisht historinë dhe gjuhën e vet dhe për të argumentuar kërkesat politike të popullit shqiptar (A Kullurioti etj).

Rilindja Kombëtare, nga gjysma e dytë e shekullit XIX, me përpjekjet e saj për të zgjuar ndërgjegjen tonë kombëtare, në luftë për liri e pavarësi, për të afirmuar kombin dhe kulturën shqiptare, i dha një shtytje të madhe përparimit të mendimit shkencor për çështje të historisë së popullit shqiptar, të traditave e të gjuhës së tij, për përhapjen e arsimit në gjuhën amtare, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, gjithashtu për lëvrimin dhe përpunimin e dijeve fillestare në degë të ndryshme të shkencës. Shumë figura të ndritura të kombit shqiptar, si Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Refat Frashëri etj., megjithëse e zhvillonin veprimtarinë e tyre jashtë atdheut, u përpoqën jo vetëm për liri dhe pavarësi, por edhe për zhvillimin e arsimit, të kulturës dhe të shkencës shqiptare. Madje ata i dhanë rëndësi të veçantë zhvillimit kulturor, si kusht për të arritur lirinë kombëtare. Naim Frashëri e ka përmbledhur këtë në vargjet programatike: Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë, përpara drejt lirisë! Nga fundi i sh. XIX dhe fillimi ish. XX u krijuan shumë shoqëri e klube shqiptare kryesisht në mërgim, po edhe në Shqipëri, që bashkuan rreth vetes forca intelektuale dhe letrare.

Pas Shpalljes së Pavarësisë në nëntor 1912, me përpjekjet e intelektualëve dhe të studiuesve më në zë shqiptarë, u krijuan disa qendra kulture dhe klube që kryenin edhe funksione studimore, në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë. Këto përpjekje të para për të krijuar shtratin e shkencës shqiptare u shtuan dhe u bënë më të organizuara me konsolidimin e shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. U ngritën disa shërbime të veçanta që kryenin edhe ndonjë funksion studimor, si Shërbimi veterinar ose epidemiologjik (1928), ferma e Xhafzotajt e ndonjë tjetër. Edhe kërkues të huaj, si F. Nopça, H. Luis, F. Markgraf, A. Hajek, E. Durham, L. Rei etj., dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për zhvillimin e studimeve shqiptare, duke çuar më tej traditën e studimeve albanologjike të sh XIX. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe më pas u hulumtuan jo vetëm gjuha, etnologjia e historia e shqiptarëve, por edhe gjeologjia e pasuritë natyrore, relievi, bimësia, dhe u bënë hulumtime e gërmime arkeologjike. Në këto hulumtime e studime filluan të merrnin pjesë e të bashkëpunonin edhe specialistët shqiptarë që po përgatiteshin në universitetet e huaja. Gjuha shqipe, historia dhe kultura popullore, letërsia, arti dhe traditat, qenë fushat kryesore të kontributit të tyre vetjak.

Kjo veprimtari shkencore nisi të marrë formën e vet më të plotë dhe të zhvillohej më tej gjatë viteve tridhjetë-dyzet, kur mjaft intelektualë, të shkolluar jashtë vendit, hodhën themelet e studimeve shqiptare si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Bilal Golemi, Gjovalin Gjadri, Hasan Ceka etj.

Një përpjekje e parë për të organizuar veprimtarinë shkencore u bë me krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare (1943), por në kushtet e luftës dhe të pushtimit ky institucion nuk mundi të realizonte nxitjen dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore.

Pas Çlirimit të vendit u ngrit Instituti i Studimeve (1946), i cili u riorganizua si Institut i Shkencave (1948), që u bë vatra e parë e kërkimeve dhe e veprimtarisë shkencore të organizuar. Nisi botimi i rregullt i revistës së parë shkencore “Buletini i Institutit të Shkencave”, siç u riemërtua “Buletini i Institutit të Studimeve” që doli vetëm një numër. Me zhvillimin e prodhimit e të arsimit dhe me përgatitjen e specialistëve u krijuan kushte për të zgjeruar kërkimin shkencor në fusha të ndryshme dhe për të ngritur edhe ndonjë qendër e institucion të specializuar kërkimor. Më 1957 u themelua Universiteti i Tiranës, që përfshiu edhe Institutin e Shkencave dhe hodhi bazat për përgatitjen e kuadrit shkencor për të gjitha fushat në vend. Për të përballuar një problematikë gjithnjë e më të shtrirë, duke filluar nga fundi i viteve ’60 e më pas, u ngrit një rrjet institucionesh shkencore më të specializuara në fusha të veçanta, disa syresh me theks më të spikatur zbatues. Puna e tyre hulumtuese është pasqyruar në një varg revistash shkencore në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaja, si edhe në përmbledhje joperiodike.

Deri në vitin 1972 në vendin tonë vepronin 25 institucione kërkimore-shkencore. Në këto kushte u bë e domosdoshme nevoja e ngritjes së Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar.

Kështu më 10 Tetor 1972 me dekret të Presidiumit të Kuventit Popullor u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 Janar 1973. Prof. Aleks Buda u zgjodh Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Deri në fund të viteve ’80 ndaj veprimtarisë shkencore ndikuan një varg kufizimesh të karakterit jashtëshkencor, kryesisht të natyrës politike e ideologjike. Ato cënonin, sidomos fushën e shkencave shoqërore, kërkimet akademike, impononin gjykime aprioristike, bëheshin pengesë për vlerësime objektive të disa arritjeve shkencore bashkëkohore e për zbatimin e tyre. Lidhjet ndërkombëtare të shkencëtarëve shqiptarë, pjesëmarrja në veprimtari ndërkombëtare, shkëmbimet shkencore dhe akademike, ndonëse nuk mungonin, ishin mjaft të kufizuara si pasojë e izolimit të vendit dhe e klimës politike.