Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI)
Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI) është një institucion publik, me statusin e personit juridik nën varësinë e Këshillit të Ministrave. AKTI është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka nisur punën në Mars 2010.
Krijimi i AKTI synon ndërtimin e një sistemi modern të shkencës, fuqizimin e kërkimit shkencor dhe teknologjik, si dhe integrimin e tyre në sistemin e arsimit të lartë.
AKTI lehtëson shkëmbimin e njohurive, veprimtarisë së përbashkët dhe partneritetit brenda dhe jashtë vendit, me qëllim forcimin e kërkimit në vend dhe rajon.
Vizioni i themelimit të AKTI është krijimi i një strukture koordinuese dhe udhëzuese që bashkëpunon me institucionet në fushën e shkencës dhe teknologjisë duke shërbyer zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, realizohet në përputhje me përparësitë kombëtare, zhvillimin e politikave shkencore dhe teknologjike dhe menaxhimin e Kërkimit dhe Zhvillimit të institucioneve të linjës.
Bordi Drejtues
Bordi Drejtues është organi kolegjial vendimmarrës i AKTI-t, që miratohet me urdhër të Kryeministrit dhe kryesohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Bordi funksionon sipas parimit të barazisë së anëtarëve dhe mblidhet jo më pak se 6 herë në vit.
Në përbërje të Bordit Drejtues, janë:
- Zëvendësministri i Financave, që mbulon çështjet e buxhetit;
- Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që mbulon çështjet e teknologjisë dhe të inovacionit;
- Zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
- Zëvendësministri i Shëndetësisë;
- Kryetari i Konferencës së Rektorëve;
- Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave;
- Një përfaqësues nga shkollat e larta private, me, së paku, gradën shkencore "Doktor", i cili propozohet nga Konferenca e Rektorëve, për një periudhë 4- vjeçare;
- Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Funksionet kryesore të Bordit Drejtues janë:
- Propozon pranë Kryeministrit fondin e nevojshëm për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin dhe për funksionimin e AKTI-t;
- Miraton financimin e programeve dhe të projekteve të SHTI-së, në përputhje me:
- FSHTI-në, parashikuar në ligjin e buxhetit;
- Përparësitë e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
- Vlerësimin e komisioneve të vlerësimit të programeve dhe projekteve;
- Autorizon Drejtorin e Përgjithshëm të AKTI-t për nënshkrimin e kontratave të zbatimit të programeve dhe projekteve të miratuara;
- Miraton raportin e veprimtarisë së AKTI-t, që i dërgohet Kryeministrit dhe bëhet publik;
- Miraton përbërjen e komisioneve të vlerësimit të programeve dhe projekteve, sipas fushave të shkencës, në bazë të propozimit të drejtorit të përgjithshëmn të AKTI-së;
- Shqyrton dhe miraton raportet e monitorimit dhe të vlerësimit të programeve dhe projekteve, të financuara nga AKTI.

Blog
Kontakte
Site Map
English